26 Shkurt, 2020 - 9:07 am
Sot në Kosovë, ora e parë e mësimit nëpër të gjitha shkollat i është kushtuar vetëdijesimit të nxënësve me masat e parandalimit të koronavirusit.
Kështu ka njoftuar dje, ministra e Arsimit, Hykmete Bajrami.
Ndërsa, me udhëzim të MASHT-it, shkollat janë pajisur me material higjienik.
Postimi i ministres:
Në bazë të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik (IKShP), Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë (MSh), kanë shpërndarë nëpër shkolla materiale vetëdijësuese rreth Coronavirusit.
MAShTI, po ashtu, përmes Drejtorive Komunale të Arsimit, ka kërkuar që në të gjitha shkollat në Kosovë ora e parë e mësimit të ndërrimit të pasdites sot (25.02.2020) dhe ora e parë e ndërrimit të paradites nesër (26.02.2020), t’i kushtohet rritjes së vetëdijësimit të nxënësve lidhur me masat parandaluese duke u bazuar në materialet dhe udhëzimet e pranuara nga Instituti Kombëtar për Shëndet Publik, të cilat janë shpërndarë nëpër shkolla.
Po ashtu, MAShTI i ka udhëzuar DKA-të që t’i pajis shkollat me material higjienik dhe të gjitha institucionet shkollore të bëjnë dezinfektimin e shtuar të të gjitha sipërfaqeve dhe nyjave sanitare. / KultPlus.com