Organizata ‘Omculti’ do të sjellë 100 libra audio për të verbrit në Kosovë

30 Shtator, 2023 - 7:00 pm

Organizata Joqeveritare ‘Omculti’ ka filluar realizimin e projektit “100 libra audio për të verbrit në Kosovë”.

Projekti “100 libra audio për të verbrit në Kosovë”, do të ofrojë 100 libra audio për personat e verbër dhe me shikim të dobësuar në Kosovë, nëpërmjet partnerëve të Projektit: “Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, “Biblioteka e të Verbërve të Kosovës”, dhe “Komiteti i Grave të Verbra të Kosovës”.

Omculti ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me partnerët e sipërpërmendur, në mënyrë që të gjitha librat e incizuara të dorëzohen për t’iu krijuar qasje të lehtë dhe të lirë të gjithë anëtarëve të këtyre organizatave. Qëllimi është të ofrojmë akses të barabartë në literaturë dhe burime arsimore për komunitetin e verbër dhe personat me shikim të dëmtuar, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe fuqizimin.

Drejtoresha e organizatës joqeveritare ‘Omculti’, Qëndresa Loki, tha për KultPlus se qëllimi i organizatës është përfundimi i 100 librave deri në fund të muajit nëntor.

“Projekti ka filluar dhe po realizohet me sukses dhe aktivitetet po kryhet sipas planit të paraparë. Synim i yni është që numrin prej 100 librave të incizuara ta arrijmë deri në fillim të nëntorit. Pastaj do ta hapim dhe një thirrje për disa narratorë vullnetarë në mënyrë që t’i arrijmë të paktën 110 libra të incizuara. Projekti do të realizojë edhe disa libra në gjuhët e komuniteteve në Kosovë, si serbisht, boshnjakisht, turqisht dhe në gjuhën rome”, u shpreh Loki.

Komuniteti i të verbërve dhe i personave me shikim të dobësuar fuqizohet përmes qasjes së barabartë në edukim dhe dije përmes qasjes në audiolibra. OJQ Omculti përveç ekipit të vet, ka kontraktuar studio profesionale për realizimin e këtij projekti, ekspertë të audios si dhe rreth dymbëdhjetë narratorë (aktorë profesionistë).

Për realizimin e këtij projekti, Omculti mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës, (MKRS), Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile në Kosovë (KCSF), si dhe nga Komuna e Prishtinës.

Si përfundim, projekti për regjistrimin e 100 librave audio për komunitetin e të verbërve në Kosovë është një iniciativë vendimtare që do të ndihmojë në adresimin e nevojave të individëve të verbër dhe atyre me shikim të dëmtuar në vend. Omculti do të sigurojë që librat audio me cilësi të lartë të prodhohen sipas standardeve të kërkuara. Librat audio do të jenë një burim i vlefshëm për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Bibliotekën e të Verbërve të Kosovës dhe Komitetin e Grave të Verbra të Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme