13 Gusht, 2020 - 1:20 pm
Organizatat e shoqërisë civile u bëjnë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, konkretisht propozuesit të projektligjit, Gazmend Bytyqit, që të tërheq projektligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së.
Ata shprehen të shqetësuar me zhvillimet e fundit në lidhje me këtë projektligj dhe besojnë se si i tillë projektligji nuk është në përputhje me të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Veçanërisht, projektligji aktual cenon lirinë e shprehjes, ndërsa minon përpjekjet drejt arritjes së drejtësisë për të gjithë viktimat dhe të mbijetuarit nga të gjitha grupet etnike.
Sipas nenit 40 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, liria e shprehjes është një e drejtë e garantuar dhe përfshin të drejtën e njerëzve për tu shprehur, përhapjen dhe marrjen e informacionit, opinioneve dhe mesazheve të tjera pa ndonjë pengesë. Në nenin 5 të projektligjit për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, thuhet se “çdo zyrtar publik dhe qytetar i Republikës së Kosovës është i detyruar të respektojë dhe mbrojë vlerat e luftës të përcaktuara me këtë ligj në çdo kohë dhe rrethanë brenda vendit dhe jashtë.”
Ky artikull shkel qartë lirinë e shprehjes të garantuar me Kushtetutë dhe si i tillë nuk duhet të pranohet. Për më tepër, projektligji i propozuar është shumë shqetësues kur merret parasysh diskutimi i përgjithshëm publik dhe implikimet politike rreth rolit dhe trashëgimisë së UÇK-së. Ka pasur një numër rastesh në të kaluarën kur njerëzit janë linçuar kur kanë shprehur publikisht mendimet e tyre për UÇK-në dhe individët që kanë qenë pjesë e UÇK-së. Për më tepër, miratimi i këtij ligji do të krijonte mundësinë për iniciativa të tjera që shkelin këtë të drejtë dhe si i tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm, thuhet në komunikatë.
“Ne i bëjmë thirrje anëtarëve të parlamentit të jenë vigjilentë dhe të përqendrohen në mbrojtjen e lirisë së shprehjes si një e drejtë bazike e njeriut dhe një vlerë themelore demokratike. Ne besojmë se përpjekjet tona institucionale dhe kolektive duhet të përqendrohen në paqe dhe pajtim, duke mbështetur dhe respektuar dinjitetin e të gjithë viktimave dhe të mbijetuarve të të gjitha etnive nga lufta e fundit në Kosovë dhe duke kërkuar drejtësi për të gjithë.”
Organizatat e shoqërisë civile: Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (HLC) Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT) Integra Alternative Dispute Resolution Center (ADRC) Nisma e Re Sociale (NSI) / KultPlus.com