21 Janar, 2023 - 11:10 am
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka nderuar lartë jetën dhe veprën e ish-presidentit, Ibrahim Rugova, në 17 vjetorin e vdekjes.Osmani thotë se Rugova iu dha zë të gjitha kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Sot në këtë përvjetor të shkuarjes në amshim të atit themeltar të Republikës së Kosovës, presidentit historik, Ibrahim Rugova, e përkujtojmë me mall njeriun i cili i dha zë kërkesave të drejta të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi”.
“Natyrisht se është trashëgimia që ai la pas që na shërben si dritë udhërrëfyese në përpjekjet tona të pandalura për shtetin tonë dhe shtetin që u ndërtua me aq shumë mund e sakrificë të shumë burrave e grave të Kosovës”.
Osmani, mes tjerash, tha se ashtu siç Rugova ndërtoi miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta ashtu do të vazhdojnë t’i ruajn këto aleanca në rrugën përpara të vendit.
“Ashtu siç diti presidenti Rugova të ndërtojë miq e aleatë që e mbështetën Kosovën në ditët më të errëta e të rënda ashtu do i ruajmë këto aleanca në rrugën tonë përpara përderisa Kosova vazhdon të përballet me sfida. I përjetshëm është kujtimi për të , trashëgimia e tij do të rrojë përherë edhe në brezat e ardhshëm”, tha presidentja Osmani.