5 Prill, 2021 - 7:44 pm
Presidentja Vjosa Osmani procesin e mbrëmshëm ku ajo u zgjodh presidente e vendit, e ka quajtur një përmbyllje të dijnititshme dhe vulosje të një shembulli të mirë funksionimit të demokracisë, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Osmani ndër të tjera ka shkruar se të luftosh padrejtësitë dhe veprime e gabuara nuk është vetëm çështje vote, por përmbushja më e madhe e rrugëtimit politik.
Tutje ajo ka cituar mësimin që Jusuf Gërvalla kishte nxjerrë nga nëna e tij, Ajshe, si kujtesë për secilën herë që përballemi me pengesa.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Mbrëmë e përmbyllëm dinjitetshëm një kaptinë të zgjedhjeve demokratike, si dhe e vulosëm edhe njërin ndër shembujt më të mirë të funksionimit të demokracisë, duke respektuar në plotëni vullnetin e qytetarëve.
Vullneti i qytetarëve, i shprehur më 14 shkurt u plotësua dhe institucionet e vendit të dala nga ky vullnet u konstituuan plotësisht.
Jam plotësisht e vetëdijshme për pritshmëritë që ju i keni. Por, po ashtu jam e vetëdijshme që misioni ynë është shumë më shumë se sa angazhim politik, ngaqë se çdo mision i nisur me bekimin e qytetarëve e që derivon nga vullneti i tyre, është mbi të gjitha, mision fisnik. Andaj nga ne pritet të dijmë të dallojmë se si të ndajmë të mirën nga e keqja, të bëjmë diferencën në mes të së tashmes dhe të kaluarës, të dijmë se kur është koha e duhur të ndërmarrim veprime madhore, duke u siguruar që çdo veprim i yni na sjell një hap më afër Kosovës për të cilën flasim kaq shumë; një hap më afër Kosovës ashtu siç e duam dhe e ëndërrojmë.
Të luftosh padrejtësitë e të sfidosh veprimet e gabuara, të shtysh përpara kauza që e përmirësojnë jetën e njerëzve që na rrethojnë, të qëndrosh fort prapa bindjeve tuaja kur e di që diçka është e drejtë dhe duhet bërë, nuk është thjesht çështje e një vote apo deklarimi publik, është përmbushja më e madhe dhe arritja më kulminante në realizimin me sukses të misionit tonë në këtë rrugëtim politik. Veprime të tilla, veprime guximtare, veprime që i japin kah shpresëngjallës historisë, janë dëshmia më e pastër e madhështisë së secilit e secilës nga ne.
Kur zgjedhet rruga e drejtë, asnjëherë nuk është e lehtë e pengesat janë të mëdha. Por kur përballeni me to, kujtojeni gjithnjë atë që heroi ynë kombëtar Jusuf Gërvalla e shkroi si mësim që kishte marrë nga nëna e tij, Nëna Ajshe:
“Rruga e nderit është më e zorshmja, por është e vëtmja rrugë e drejtë për njeriun. E kush është munduar për nder, nder ka gjetë”!
Në këtë rrugëtim, shpresoj t’u kem të gjithëve bashkudhëtarë. Na priftë e mbara!/ KultPlus.com