2 Mars, 2022 - 10:20 am
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar presidentin kroat Zoran Milanoviq, për propozimin që ky i fundit ka bërë rreth Kosovës që t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësin në Bashkimin Evropian, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Osmani ka falënderuar Milanoviq duke thënë se Kroacia është një vend kampion në përkushtimin e saj për anëtarësimin e Kosovës në BE.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha vendet anëtare dhe institucionet e BE-së për të përshpejtuar zbatimin e reformave në rrugën tonë të anëtarësimit”, ka shkruar Osmani.
Zoran Milanoviq i ka dhënë gjithë mbështetjen e tij kandidaturës së Ukrainës për të hyrë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu pati edhe propozimin tjetër që përfshin statusin e kandidatit për Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën si dhe fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. /KultPlus.com