13 Mars, 2022 - 7:02 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Forumin Diplomatik të Antalisë ka takuar personalitete të ndryshme botërore, me të cilët edhe ka zhvilluar edhe disa biseda, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, shkroi se edicioni i dytë i Forumit Diplomatik të Antalisë ishte një mundësi e shkëlqyer për të takuar dhe diskutuar me homologë e liderë nga mbarë bota për rëndësinë e aleancave dhe bashkërenditjes së qëndrimeve e veprimeve karshi zhvillimeve të fundit në Evropë dhe jo vetëm.
“Në kuadër të ADF2022 u takuam me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Sefik Dzaferoviq dhe kryeministrin e nominuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët diskutova për zhvillimet në rajonin tonë, rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e sfidave dhe barrierave me të cilat përballemi”, ka shkruar Osmani duke falënderuar Erdoganin dhe Çavushoglun për mikpritjen e delegacionit kosovar.
Në vrazhdën e takimeve, Osmani ka biseduar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Pata po ashtu rastin të shkëmbej vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg”, shkroi presidentja.
Në këto takime, e parja e shtetit ka pasur rastin që të takojë shtete të cilat e kanë njohur Kosovën, por edhe të tilla të cilat nuk e njohin sovranitetin dhe pavarësinë e vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
“ADF është shndërruar në platformë të përmasave globale për diskutime përmbajtësore e strategjike, e të cilat u realizuan në një moment tejet të rëndësishëm”, deklaroi tutje Osmani. /KultPlus.com