6 Prill, 2022 - 8:39 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, derisa njoftoi se nga sot do të fillojë seria e vizitave nëpër komunat e Kosovës, shkruan KultPlus.
“Një ditë intensive me përplot takime në Gjilan”, ishte përshkrimi i Osmanit në statusin e saj të fundit në “Facebook”.
“E nisa nga këtu serinë e vizitave nëpër komunat e Kosovës, në një takim me kryetarin energjik, z. Alban Hyseni. Shqetësimet, preokupimet dhe problemet do t`i adresojmë bashkërisht. Në shkollën “Nazmi Hoxha”, prej sot nxënësit me nevoja të veçanta do ta kenë më të lehtë qasjen falë një projekti të UNICEF-it, të cilin e përuruam sot”, shkruan tutje presidentja.
Ajo gjithashtu njoftoi se është takuar me përfaqësues të strehimores dhe të shoqërisë civile, me ç’ rast diskutuan për pozitën e grave, eliminimin e dhunës mbi baza gjinore, fuqizimin e grave dhe përfshirjen në vendimmarrje.
“Kurse te bizneset, pashë përkushtimin e tyre që të punojnë parreshtur edhe në këtë kohë kur përballemi me kriza. Do të vazhdojmë me vizitë në Dobërçan të Gjilanit ku pritemi nga familja e dëshmorit Nusret Hajdari. Komunat e zhvilluara e bëjnë shtetin e zhvilluar.Shihemi në komunën e radhës!”, shkruhet në fund të postimit. /KultPlus.com