9 Prill, 2021 - 9:32 am
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar sot të rënët në Rakoc dhe Lagje të Re, 22 vite më parë.
Në një shkrim në Facebook, Osmani ka thënë se pjesëtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami” e deshën lirinë dhe u flijuan për të.
“22-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal serb ia mësynë Rakocit dhe Lagjes së Re në Kaçanik. Në Betejën e 9 prillit të vitit 1999 për mbrojtjen e pragut të shtëpisë ranë 28 dëshmore e dëshmorë dhe 32 martirë. Pjesëtarë të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, të UÇK-së, e deshën lirinë dhe u flijuan për të. Sakrifica e tyre është testament historie për rrugën deri te liria. Sot i kujtojmë me nder e respekt gjithë ato gra e burra, të cilët janë shtyllë e fuqishme e lirisë, pavarësisë dhe e shtetit tonë”, ka shkruar ajo.
“Përveç tjerash, Beteja e 9 Prillit dëshmoi edhe për guximin dhe kontributin e grave për lirinë e vendit. Në altarin e lirisë, këtë ditë ranë: Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, dhe Mukadeze Muhaxheri-Lika. Qoftë i përjetshëm kujtimi për dëshmoret, dëshmorët e martirët”, tha Osmani./ KultPlus.com