27 Tetor, 2020 - 11:11 am
Ishte 27 tetori i vitit 2002 kur veprimtari atdhetar e politik, Ukë Bytyçi u vra nga një dorë tinëzare dhe ende e paidenftikueshme, në ditën e parë të shpalljes së tij kryetar i Komunës së Suharekës, shkruan KultPlus.
Në ditën e fitores së postit të tij si kryetar, përderisa ishte duke festuar bashkë me qytetarë, u vra pabesisht bashkë me dy përcjellësit e tij Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin. Mirëpo, vrasja e tij nuk do të thoshte vetëm humbje e një politikani por, të një njeri të vyer që kishte punuar ndër vite për Kosovën.
Këtë personalitet e ka kujtuar edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi në facebook, duke e quajtur bashkëmendimtar e bashkëveprimtar të ish-presidentit Rugova.
“Së bashku me përcjellësit e tij, Bafti Bajramin e Bajram Bytyçin, ai u vra pikërisht sepse po i promovonte idealet për të cilat u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh: jetën e lirë e shtetin e konsoliduar, në të cilin respektohen liritë dhe të drejtat njerëzore, përfshirë edhe të drejtën e votës së lirë e të manifestimit paqësor, të cilat konsiderohen fundament i shtetësisë”, ka shkruar Osmani duke theksuar se liria e vendit do të mbetet e pa plotë pa zbardhjen e këtyre rasteve.
Tutje Osmani ka thënë se Ukë Bytyçi nëpërmjet guximit, vendosmërisë, urtisë dhe fjalës së tij u bë njeri i besueshëm për gjithë Kosovën.
Bytyçi i cili kishte lindur në fshatin Semetisht të Suharekës në vitin 1955, kishte qenë student i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës. Ai kishte marrë pjesë edhe në protestat studentore të vitit 1981. Karrierën e tij e vazhdoj në lëminë e bujqësisë për disa vite, ndërkaq ai nuk la anash as politikën, duke u angazhuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga viti 1989, ndërkaq në vitin 1992 u shpall kryetar i kësaj partie në Komunën e tij.
Në vitin 1992 ishte ndër themeluesit e parë të celulave të para Ushtarake për Çlirimin e Kosovës për çka edhe u burgos më 5 Tetor të vitit 1993 nga policia serbo-sllave dhe u dënua me 5 vite burgim. Pas përfundimit të dënimit, pa asnjë ditë vonesë e vazhdoi aktivitetin aty ku i kishte mbetur. Me daljen e UÇK-së, ai u kyç që nga dita e parë dhe me disa bashkëpunëtorë të tij formoi Zonën Operative të Pashtrikut si ushtar, pastaj si epror i cili qëndroi deri në Çlirimin e Suharekës më 13 Qershor 1999 .
Ukë Bytyçi do të kujtohet përherë për veprimtarinë e tij atdhetare. /KultPlus.com