31 Gusht, 2024 - 2:45 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përgjatë Forumit Globsec në Pragë ka folur edhe për raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Osmanit, dallimi në mes të Kosovës dhe SHBA-së është për shpejtësinë e veprimit dhe jo për rrugën që po ndiqet.
“S’ka ndonjë lloj mospajtimi që SHBA dhe Kosova duan një Kosovë sovrane, në kufijtë aktual. Por ndonjëherë qasja drejt mbajtjes së një Kosovë demokratike të fortë, mund të dallojmë. Janë taktikat nuancat. Mund të ketë diferenca në këtë drejtim. Por asnjëherë dhe s’ka pasur edhe as sot s’ka ndonjë lloj mospajtim se çfarë Kosovë duam. Kur ky themel është i shëndosh të gjitha sfidat mund të tejkalohen”, ka thënë Osmani.
Osmani tutje ka thënë se koordinimi me aleatët është kyç për suksesin e Kosovës, dhe sipas saj, në momentin që koordinohesh, suksesi është më i qëndrueshëm dhe më afatgjatë, derisa ka shtuar kur e bën të kundërtën, mund të kesh një sukses momental që mund të duket bukur, por që më pas mund të rezultojë në hapa mbrapa.
“Mospajtimi nuk është ndoshta sa i përket rrugës, por ndoshta vetëm shpejtësia me të cilën ecet në atë rrugë. Nuk po dua të them që e gjithë situata është krejt e qartë. Kam pasur 20 vjet përvojë në politikë dhe koordinimi me aleatët është kyç është një prej aspekteve kyça të suksesit tonë. Kur koordinohemi me aleatët në terren suksesi është më i qëndrueshëm më afatgjatë, por kur nuk e bëjmë këtë është një sukses vetëm momental, mund të duket mirë, mund të tingëllojë mirë, por që pastaj është më i brishtë si sukses dhe mund të bëjmë hapa mbrapa”, ka thënë presidentja e Kosovës, raporton Gazeta Express.
Presidentja në këtë panel në Pragë ka thënë se fuqia e Kosovës qëndron pikërisht tek aleancat me shtetet e fuqishme demokratike dhe ka përsëritur se dallimi mes Kosovës dhe SHBA-së mund të jetë tek shpejtësia me të cilën po ecet por jo për destinacionin.
“Kur mban aleanca të forta, këtu e ke fuqinë. Fuqia jonë me e madhe bazohet në partneritetin tonë. Kjo na ka mbajtur të fuqishëm. Pa marrë parasysh sfidat, jo çdokush pajtohet plotësisht me atë që them unë dhe kjo do të thotë që Kosova është një vend me demokraci të shëndoshë. Dallimi mes Kosovës dhe SHBA-së mund të jetë sesa shpejt ecim në një drejtim, nuk është puna për rrugën apo destinacionin”, ka thënë Osmani.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë në disa reagime të fundit se raporti në mes të SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës është lënduar dhe se veprimet e pa koordinuara dhe të njëanshme të Qeverisë së Kosovës vetëm sa po e rrisin përkqësimin e raporteve, shkruan Gazeta Express.
Në reagimin e lëshuar të premten më 30 gusht, Ambasada e SHBA-së ka thënë se Qeveria e Kosovës e ka instrumentalizuar Policinë e Kosovës dhe se veprimet e fundit do të kenë ndikim edhe në raportin në mes të SHBA-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vartësve të kësja ministrie. Nga Ambasada kanë thënë se instrumentalizimi që po i bëhet policisë është shkelje e premtimit nga ana e Qeverisë së Kosovës për koordinim dhe konsultime të vazhdueshme me partnerët./ KultPlus.com