17 Dhjetor, 2020 - 11:10 am
Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, njëherësh edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës në vizitën dy ditore në Shqipëri ka takuar kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçin.
Gjatë takimit me të Osmani ka kërkuar që Kuvendi i Shqipërisë të marrë qëndrim për krimet e Serbisë në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
“Duhet ndiqet shembulli i Kuvendit të Kosovës, i cili ka miratuar një Rezolutë, me të cilën kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë. Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka theksuar rolin e Kuvendit të Kosovës në bashkëpunimin me atë të Shqipërisë, ndaj ka kërkuar mbështetjen dhe ndarjen e përvojave në procesin e integrimit evropian.
“Duhet ta rrisim bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet të të dy Kuvendeve në funksion të shkëmbimeve ndërparlamentare dhe zhvillimit të diplomacisë parlamentare”, është shprehur Osmani.
Ajo pritet që nga ora 12:30 të mbaj një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. /Gazeta Express/ KultPlus.com