26 Dhjetor, 2020 - 9:22 pm
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, u ka bërë një mesazh të fundvitit aleatëve dhe miqve ndërkombëtarë.
Përmes një videoje që ka postuar në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka thënë se Serbia ka kryer dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit të Kosovës.
“Gjatë gjithë historisë sonë, populli i Kosovës vazhdimisht ka demonstruar një dëshirë të madhe për paqe, stabilitet dhe drejtësi. Ndërsa paqja është arritur, lufta për të vërtetën ende vazhdon. Pas më shumë se dy dekadash, plagët e Kosovës nuk mund të shërohen pa drejtësi”.
“Ende sot, kemi me mijëra gra që jetojnë me stigmën e padrejtë për shkak se janë përdhunuar nga forcat serbe gjatë luftës. Ndërsa asnjë person i vetëm nuk është ndjekur penalisht për këtë krim të neveritshëm”.
“Për këto gra që vazhdojnë të vuajnë në heshtje, unë jam e përkushtuar të bëhem zëri i tyre. Ende sot, kemi prindër që dëshirojnë të dinë vendndodhjen e 1600 kosovarëve të zhdukur”.
“Fotografitë e fëmijëve të tyre të dashur, vëllezërve, motrave dhe prindërve varen në muret e shtëpive të tyre si një mënyrë për t’u kujtuar të afërmve të tyre që janë ende të zhdukur. Ata jetojnë me shpresën se një ditë do të gjejnë drejtësi”.
“Serbia kreu dhunë sistematike të sponsorizuar nga shteti, kundër popullit tonë. Kjo rezultoi në më shumë se 13,000 vrasje të popullatës civile gjatë luftës, 1133 prej të cilëve ishin fëmijë”.
“Nisur nga kjo, ne kërkojmë mbështetjen tuaj në ndjekjen tonë për drejtësi për krimet e luftës dhe gjenocidin serb, si dhe kërkimin tonë për përgjegjësi për personat tanë të zhdukur”./ KultPlus.com