9 Shkurt, 2025 - 2:30 pm
Presidentja Vjosa Osmani tha se sot është një “ditë shumë e rëndësishme për demokracinë” dhe “ditë vendimtare”, pasi votoi në Fakultetin Teknik në Prishtinë.
Ajo i ftoi qytetarët që të votojnë, ndërsa tha se ata kanë mundësi, përveç tjerash, që sot “edhe t’i japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë”.
“Shpresoj që të gjithë qytetarët anë e mbanë Kosovës do ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Është edhe moti i mirë sot e me diell, kështu që është pak më lehtë të votohet. Besoj që i kanë informatat e nevojshme nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth vendvotimeve të tyre dhe është mundësi e mirë që qytetarët jo vetëm ta japin vlerësimin për të gjithë qytetarët që i kanë përfaqësuear deri më tani, por edhe t’i japin mundësi atyre që ndoshta kandidojnë për herë të parë dhe është me rëndësi që këtë të drejtë pra ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha presidentja para gazetarëve.
“I uroj suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje. Shpresoj që e mbara t’i prijë Kosovës, vendit tonë të dashur dhe një ndër mënyrat më të mira për të kontribuar për Kosovën tonë është pikërisht duke e shfrytëzuar të drejtën e votës”, shtoi Osmani./ KultPlus.com