4 Prill, 2022 - 3:46 pm
Kur janë bërë 1 vit që posti i Presidentit të Kosovës udhëhiqet nga një grua, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim për të shënuar sukseset dhe pritshmëritë për të ardhmen, shkruan KultPlus.
Përmes një fjalimi në kabinetin e saj, Osmani e filloi fjalimin duke thënë se viti i kaluar është karakterizuar nga shumë sfida lokale e globale.
“Pandemia, kriza energjetike dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian. Kosova është sot një kontribuuese aktive dhe një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.
Si udhëheqëse e politikës e jashtme, ajo thotë se ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.
“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, shprehet tutje Osmani.
Ajo edhe gjatë ditës por edhe gjatë fjalimit ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për anëtarësim në familjen e NATO-s.
“Shteti i së drejtës është përkushtimi im i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kamë punuar secilën herë kur kam marrë një vendim , kur kam bërë një emërim dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin”, ka thënë Osmani.
Osmani gjithashtu shprehet se gjatë punës së saj një vjeçare është angazhuar edhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, ndërgjegjësimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevojat e veçanta dhe rritjen e vetëdijes mbi kërcënimet që i kanosen shëndetit tonë nga shkatërrimi i ambientit.
“Pres të punojmë drejt arritjeve të sukseseve të reja. Do të vazhdoj të punoj për të udhëhequr politikën e jashtme dhe për t;i treguar botës që Kosova është më shumë se sa dinamikat e përditshme politike dhe që është një vend paqedashës”, njoftoi 39 vjeçarja.
Presidentja gjatë ditës së sotme ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram” opsionin për të bërë pyetje, në mënyrë që çdo qyetetarë të pyes për punën 1 vjeçare dhe të ardhmen e vendit. /KultPlus.com