4 Tetor, 2023 - 4:58 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është në udhëtim për në Granada të Spanjës, ku do të përfaqësojë Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC), shkruan KultPlus.
Kjo ngjarje e rëndësishme, e organizuar me ftesën e Presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel, dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, ka për qëllim nxitjen e dialogut politik dhe forcimin e bashkëpunimit për të adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
Samiti i EPC-së pritet të mblidhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit evropian, si dhe liderët e institucioneve evropiane. Qëllimi kryesor i kësaj ngjarjeje është të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet vendeve evropiane për të siguruar një Evropë më të qëndrueshme, e pasur dhe më gjeostrategjike.
Presidentja Osmani do të marrë pjesë në sesionet kryesore të samitit, ku do të diskutohet për sfidat që i pret Evropën në fushën e sigurisë dhe stabilitetit. Ajo gjithashtu do të zhvillojë takime të veçanta me liderët evropianë për të informuar ata mbi agresionin e Serbisë kundër Kosovës dhe për të diskutuar mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për tejkalimin e këtyre sfidave të përbashkëta.
Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani pritet të përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon. Kjo prezantim i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare është një shenjë e qëndrueshmërisë dhe përkushtimit të vendit në promovimin e paqes dhe bashkëpunimit në Evropë. /KultPlus.com