12 Qershor, 2020 - 12:54 pm
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se si sot 21 vjet më parë u realizua ëndrra dhe përkushtimi i brezave të tërë që luftuan për liri.
Ajo ka propozuar që një ulëse në sallën e Kuvendit t’i kushtohet fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit.
Duke kujtuar ardhjen e Ditës së Çlirimit, Osmani ka thënë se pas 78 ditë bombardimeve shpresa ngadhënjeu, Kosova e pa dritën e lirisë, dhe qytetarët morën frymë.
Ajo ka thënë se u dëshmua se në Kosovë liria e jashtme mund të vije vetëm nëse fitohet liria e brendshme
“Prandaj ne u çliruam sepse edhe e fituam lirinë e brendshme dhe këmbëngulëm në vlerat humanë kur fqinjët tanë i shkelen atë. Do t’i propozojë Kuvendit që njërën nga ulëset në qendër të sallës ta mbajmë të rezervuar si dedikim të fëmijëve të pafajshëm të këtij vendi të cilëve iu këput ëndrra për jetë”, ka thënë ajo
Osmani ka thënë se sot duhet unitet për paqe të qëndrueshme dhe mbrojtje të sovranitetit e territorit në Kosovë.
“Ne e njohim shumë mirë peshën e lirisë sepse e kemi përjetuar me shekuj të tërë mungesën e saj. Pavarësia e Kosovës e ka vulosur fatin e popujve në Ballkan. Historinë e kemi në krah. Kosova e ka numrin të madh të fëmijëve e grave të vrara. Në këtë ditë të lirisë, kemi një mesazh, siç ishim unik dikur si një akt sublim, sot të jemi unik në idenë për paqe të qëndrueshme duke mbrojtur sovranitetin e territorit tonë në çdo pëllëmbë”, ka thënë ajo. / KultPlus.com