23 Mars, 2022 - 8:05 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reguar për vdekjen e mikes së Kosovës, Madeleine Albright, e cila vdiq sot në moshën 84 vjeçare, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në “Facebook”, Osmani u shpreh thellësisht e tronditur nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright.
“E tronditur thellësisht nga humbja e mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright, ish- sekretare e Shtetit të SHBA-ve. Ajo na dha shpresë, kur nuk e kishim atë, u bë zëri ynë e krahu ynë kur nuk kishim as zë e as krah. E njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi parreshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, shkroi presidentja.
Ajo gjithashtu shtoi edhe pjesën se modeli i saj i një heroine të pamposhtur, do të mbetet përherë modeli që do ta ndjekin shumë breza.
“Modeli i saj i një heroine të pamposhtur, guximtare e të vendosur për të mbjellur vlerat demokratike në çdo vend, do të mbetet përherë modeli që do e ndjekim ne që patëm fatin ta njohim si dhe shumë breza pas nesh”. /KultPlus.com