26 Mars, 2023 - 1:25 pm
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në 24 vjetorin e Masakrës së Krushës së Madhe ka thënë se nuk do të ndalemi së kërkuari që autorët e krimeve makabre të vihen para drejtësisë, përcjellë Kult Plus.
Presidentja Osmani, ndër të tjera ka thënë se të gjithë së bashku duhet të anagzhohen për të për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tentohet të tjetërsohet.
‘Sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi se kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i tyre të zbardhet. Asnjëherë nuk duhet të heshtim e të dorëzohemi në kërkim të drejtësisë për jetët e pafajshme. Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tentohet të tjetërsohet’, ka thënë Osmani.
Osmani më tutje ka thënë se Krusha e Madhe është një ndër rrëfimet më të tmerrshme të Luftës së Kosovës për liri.
‘Kosova bëri luftë të drejtë e çlirimtare, ndërkaq Serbia ka kryer gjenocid ndaj popullit tonë. Krusha e Madhe është ndër rrëfimet më të tmerrshme të luftës tonë dhe ky rrëfim ende nuk ka mbaruar.’
Osmani gjithashtu ka deklaruar se asnjëherë nuk do të heshtim duke e mbajtur gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë.
Ideja e intelektualit, Ukshin Hoti ende nuk është përmbushur, sepse ende nuk kemi drejtësi për viktimat. Nuk mund të ketë paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë. Ne synojmë paqen, por nuk do të heshtim asnjëherë, duke mbajtur të gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por kemi mundësi ta ndërtojmë të ardhmen mbi respektin që kemi për gjithë ata që dhanë jetën për liri’ ka thënë Osmani.
Sot Krusha e Madhe ka shënuar 24 vjetorin e masakrës, të kryer nga shteti i Serbisë në luftën e vitit 1999, në të cilën mbetën të vrarë 241 persona./KultPlus.com