21 Tetor, 2022 - 2:34 pm
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se ka marrë garancion nga shumica e ambasadorëve në Kosovë që nuk do të ketë kritere shtesë për liberalizimin e vizave.
Ajo tha se jo vetëm që nuk do të kërkojnë kritere shtesë, por edhe do të kundërshtojnë dhënien e kritereve shtese teknike, pasi sipas saj, ato kanë përfunduar më 2018.
“Mirëkuptim kemi nga shumica dërmuese, ka 2-3 shtete që i kanë disa shqetësime që po merremi intensivisht jo vetëm ne por edhe diplomatët tanë që po merren me këtë temë me shpresën e plotë që në takimet e radhës që do të mbahen në nivel të grupeve punuese për vizat të sigurohemi që të mos ketë ndonjë bllokadë”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Osmani tha shpreson që vendimi për vizat të merret më së largu në dhjetor dhe pastaj të hyjë në fuqi sipas praktikave të deritanishme që është deri në 6 muaj e të mos lidhet me procesin ETIAS./ KultPlus.com