Osmani: Siç bota qëndroi me Kosovën 25 vjet më parë, sot duhet të qëndrojmë me Ukrainën, s’është luftë veç e tyre

16 Qershor, 2024 - 5:00 pm

Presidentja Vjosa Osmani tha se sikur që qëndroi me Kosovën në fund të viteve ’90, bota duhet të qëndrojë sot me Ukrainën, në fjalimin e saj përmbyllës në Samitin e Paqes për Ukrainën në Zvicër ku morën pjesë liderë nga 100 shtete të të gjitha kontinenteve.

Osmani i falënderoi shtetet mbështetëse të Kosovës që tha se u bënë “shpëtimtarët tanë”, ndërsa tha se shpreson që mundësia e njëjtë t’u jepet edhe fëmijëve ukrainas.

“Ashtu si bota qëndroi me popullin e Kosovës 25 vjet më parë, ne duhet të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën për të arritur paqen, një paqe të drejtë”, tha Osmani.

Në ditët më të vështira për popullin e Kosovës, Osmani tha se shtetet demokratike erdhën në ndihmë duke dërguar sinjal të qartë se nuk do të lejojnë shtypjen e shfarosjen e një populli që luftonte për lirinë e vet.

Dhe tash, 25 vjet pas, ajo tha se “Kosova është pjesë e aleancave që po mbrojnë vlerat e lirisë”. 

Kjo luftë tash, Osmani tha se “nuk është thjesht lufta e Ukrainës”, por “është një betejë për vlerat dhe idealet tona të përbashkëta, të cilat sot janë nën rrethim, por janë po aq të qëndrueshme sa shpirti i atyre që i mbrojnë”./ KultPlus.com

Të ngjajshme