25 Tetor, 2021 - 12:31 pm
Në hapjen e “Javës për mbrojtjen e viktimave të krimit” presidentja Vjosa Osmani tha se obligim i shtetit është mbrojtja dhe garantimi i së drejtës për jetë.
Ajo shtoi se statistikat janë trishtuese, ku dhuna tashmë është bërë sfidë e madhe për vendin. Osmani thotë se kryesit e veprave duhet të dënohen dhe të mos tolerohet asnjë lloj dhune.
“Obligimi i shtetit në raport me të drejtat dhe liritë e njeriut nuk është vetëm obligim negativ, por edhe obligim pozitiv, që nënkupton t’i mbrosh ato kur janë në rrezik, e qoftë ajo e mbrojtjes për jetë. Deri në shtator të këtij viti janë edhe tri gra viktima të dhunës në familje dhe statistikat janë trishtuese, kryesit e veprave duhet dënohen”.
Osmani, përkundër punës që po bëhet në luftimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, ftoi institucionet të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim.
Madje ajo ka ofruar edhe mbështetjen e saj në mbrojtje të viktimave, raporton EO-ja.
“Më vjen mirë që po punohet pozitivisht nga profesionistët që të fitohet besimi në këto institucione. Dua të rikonfirmoj angazhimin tim personal që të bashkëpunoj me të gjitha institucionet ku integritetin dhe respektimin e ligjit e kanë parësore dhe bashkërisht të luftojmë krimin e t’i mbrojmë viktimat. Mbi të gjitha të zbatohet ligji duke siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët pa frikë, ne vetëm bashkë mund të sigurojmë qetësi për qytetarët. Heshtja ime ndaj padrejtësive kurrë nuk do të jetë një alternativë, sepse kështu i nxisim kryesit e veprave dhe dhunës që të vazhdojnë tutje, andaj ta ngrejë zërin sa më shumë”./KultPlus.com