16 Prill, 2021 - 7:31 pm
Distria Krasniqi sot fitoi medaljen e artë duke u shpallur kështu për herë të parë Kampione e Evropës në xhudo, përcjell KultPlus.
Për fitoren e saj, Distria Krasniqi u urua edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook, uroi Krasniqin duke theksuar se xhudistet tona po e ngrisin Kosovën lartë e më lartë.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Osmanit.
Distria e artë!
Sot, Distria Krasniqi, u shpall Kampione e Evropës për herë të parë. Xhudistet tona të arta – të arta me medale e me shpirt, po e ngrisin Republikën tonë lartë e më lartë. S’ka si të jetë ndryshe! Këto arritje të tyre janë reflektim i pastër i punës së palodhshme, angazhimit në një mision me qëllim të qartë, e i konsistencës në këtë drejtim.
Ditën e parë të punës si Presidente e fillova pikërisht me Distrian dhe xhudistet tona fantastike. Atë ditë e kuptova edhe njëherë që secila nga këto vajza janë një shkëndijë në vete e që s’do ndalen së shëndrituri asnjëherë.
Faleminderit për nderin që po na e bëni të gjithëve, për nderin që po i bëni Republikës sonë.
Vetëm përpara e gjithnjë më fitore të reja. / KultPlus.com