4 Korrik, 2021 - 1:02 pm
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka uruar popullin amerikan me rastin e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve
Osmani ka shkruar se historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri.
“Sot, populli amerikan feston 245-vjetorin e pavarësisë, kurse ne miqtë e tyre bashkëfestojmë me ta, ngaqë kjo ditë na e kujton rolin e këtij kombi të madh për jetësimin e synimit tonë për të jetuar të lirë e të mosvarmë.
Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri.
Prandaj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të. Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan.
Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, “është e përhershme””./ KultPlus.com