26 Shtator, 2022 - 9:38 pm
Më 26 shtator të vitit 1998, në fshatin Abri e Epërme, forcat serbe kishin kryer një nga masakrat më mizore gjatë luftës në Kosovë. Sot shënohen plot 24 vjet nga kjo masakër mizore, me ç’rast ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani përmes një postimi në rrjetin soical Facebook, shkruan KultPlus.
“Në 24-vjetorin e Masakrës së Abrisë, i kujtojmë të gjithë të masakruarit dhe do ta themi kudo e kurdo se Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Relativizimi i krimeve të Serbisë është përpjekje për ndryshim të historisë”, ka shkruar ajo.
Po ashtu ajo ka shpërndarë edhe një poezi të Naxhije Gashanit që i dedikohet vrasjes së dy vjeçarit, Valmir Deliu.
Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:
Një fëmijë i vogël me vdekje të madhe në masakrën e llahtarshme të Abrisë, më 26 shtator 1998.
Valmir Deliut, 2 vjeç, e plot fëmijëve të tjerë, ëndrrat e fëmijërisë iu prenë sapo filluan rrugëtimin jetësor. Me biberon në gojë, Valmiri u bë viktimë e gjenocidit serb më 1998, së bashku me gra, fëmijë e pleq të familjes Deliu të masakruar nga forcat serbe.
Në 24- vjetorin e Masakrës së Abrisë, i kujtojmë të gjithë të masakruarit dhe do ta themi kudo e kurdo se Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Relativizimi i krimeve të Serbisë është përpjekje për ndryshim të historisë.
Valmiri i vogël dhe të gjithë fëmijët e masakruar nga regjimi serb, na e bëjnë dhimbjen dhe kurajon e madhe që akterët t’i nxjerrim para drejtësisë për gjenocidin e kryer ndaj popullit shqiptar. / KultPlus.com