31 Janar, 2022 - 1:10 pm
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë vendosur kurorë lulesh te shtatoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarine zyrtare në ”Facebook”, ka shkruar se ata ishin patriotë të devotshëm.
Postimi i plotë:
“Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu janë pararoja e UÇK-së dhe lajmëtarët e lirisë së Kosovës.
Ata ishin patriotë të devotshëm, organizatorë të zotë dhe luftëtarë të paepur.
25- vjet më parë, angazhimi i tyre për lirinë e vendit u ndal mizorisht në një pritë, në të cilën tre patriotët ranë në përjetësi.
Ata janë fryma çlirimtare, krenaria e shtetit të Kosovës dhe udhërrëfyes për brezat!
U kujtofshin përjetë Zahiri, Edmondi dhe Hakifi!”, shkruan Osmani.
Më 31 janar të vitit 1997 ndodhi njëra nga betejat e para të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me forcat armike. /KultPlus.com