Pa diplomë në xhep, por miliarderë

27 Gusht, 2020 - 10:28 pm

Shumica e njerëzve mendojnë sesa më i lartë të jetë niveli i arsimit, aq më shumë gjasa ka të bëhesh i suksesshëm. Përgjithësisht personat që lënë shkollën ose marrin një arsimim minimal, pritet të përfundojnë në pozicione të ulëta pune me paga qesharake.

Kjo është ideja që na përcillet që në fëmijëri dhe kultivohet në mendjen tonë për të gjithë jetën. Mësohemi të shohim përpara shumë larg dhe harrojmë se mjetet për sukses mund të jenë para syve tanë në çdo moment.

Njihuni me persona të famshëm, edukimi i të cilëve bën përjashtim nga rregulli:

Xhon D. Rrokfeler, miliarder

Përpara se të bëhej njeriu më i pasur në histori, Xhon Rrokfeler ishte djali më i vogël i një artisti të panjohur dhe një gruaje me shkollë të mesme në provincën e Cleveland, Ohaio. Megjithëse kishte një farë edukimi, në moshën 16-vjeçare Rrokfeler vendosi se ishte koha për ta lënë shkollën dhe për të filluar një karrierë, me qëllimin e vetëm për të siguruar 100 000 dollarët e jetës së tij. Është e sigurt se ai e përmbushi qëllimin dhe shumë shpejt e kaloi atë. Rrokfeler themeloi firmën e tij në industrinë e naftës, “Standart Oil”, duke krijuar kështu një monopol në këtë fushë. Në vitin 1902, Rrokfeler kapi shifrën prej 200 milionë dollarësh dhe para se të vdiste pasuria e tij u vlerësua miliarda dollarë.

Horac Grilei, gazetar dhe kongresmen

Horac Grilei ka lindur në Hampshire në fillim të shekullit XIX, për t’u bërë më pas një prej gazetarëve më të dëgjuar në historinë e Amerikës. Ishte gjithashtu një kongresmen dhe anëtar i Partisë Republikane të SHBA-së. Ai arriti deri këtu pa pasur asnjë arsim të veçantë. Në moshën 15-vjeçare Horac Grili u largua nga shtëpia për të praktikuar një zanat, së bashku me një tipograf në Vermont. Në moshën 20-vjeçare u zhvendos në Nju Jork dhe filloi punë në gazetat “The New Yorker” dhe “The New York Tribune”. Kjo e fundit ishte gazeta që e bëri të njohur. Horac Grili dha ndihmesë në gjetjen e një qyteti në Kolorado, qytet i cili në ditët e sotme mban emrin e tij. Karriera e shkëlqyer e Horac Grilit përbën një kontrast të dukshëm me nivelin e tij të arsimit, por është padyshim në të njëjtin nivel me përpjekjet e tij. Historia e gazetarisë amerikane e ka vlerësuar maksimalisht këtë njeri.

Xhon Glen, astronaut

Gjatë garës së tensionuar të hapësirës, zhvilluar në vitet 1950 dhe 1960, një burrë u shfaq si fytyra e përpjekjeve të Amerikës, për të mundur sovjetikët në betejën e hapësirës dhe uljes në Hënë. Ky burrë quhej Xhon Glen. Ai ishte heroi i luftës dhe një prej astronautëve më të njohur në histori, pavarësisht se e kishte lënë universitetin përgjysmë. Glen frekuentonte Universitetin “Muskingum”, ku studionte shkencë. Bombardimet japoneze në Pearl Harbor e detyruan që ta linte kolegjin dhe të hynte në ushtri për të marrë pjesë në Luftën e Dytë Botërore. Amerika e nderon këtë njeri duke e quajtur si një prej astronautëve që ndihmoi jashtëzakonisht shtetin në një situatë të vështirë.

Stiv Xhobs, bashkëthemelues i kompanisë “Apple”

Ka nxjerrë shumë mendimtarë të mëdhenj fundi i shekullit XX dhe fillimi i shekullit XXI dhe disa prej tyre kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme, pa përfunduar universitetin apo ndonjë arsim tjetër më të lartë, për shembull Bill Gejts dhe Mark Zuckerberg. Megjithatë vlerësohet se mendja më e madhe e teknologjisë së shekullit të kaluar ishte Stiv Xhobs, bashkëthemeluesi i kompanisë “Apple”. Xhobs dhe kolegu i tij krijuan kompjuterët e parë personalë, ose siç njihen ndryshe laptop, dhe ndihmuan për shpikjen e produkteve të tjera revolucionare si “iPod”, “iPhone” dhe “iPad”. Të gjitha këto me një frekuentim vetëm 6-mujor të universitetit nga Stiv Xhobs. Stiv ishte dhënë për adoptim me kushtin e vetëm nga nëna biologjike, se prindërit adoptues duhet t’i jepnin atij një nivel të lartë arsimimi. Pol dhe Klara, prindërit birësues, duket se nuk e kanë përmbushur plotësisht këtë porosi. Stive Xhobs kishte një pasuri, e cila pas vdekjes së tij u vlerësua se arrinte deri në 8 miliardë dollarë.

Mark Tuejn, autor dhe mendimtar

Padyshim shkrimtari dhe komiku amerikan, më i njohur në histori, Mark Tuejn, e fitoi famën e tij pasi krijoi personazhet e Tom Sojerit dhe Hakërbej Fin. Në fakt thuhet se libri i tij “Aventurat e Hakërbej Fin” konsiderohet prej shumë njerëzve si novela më e mirë amerikane. Aspak keq për një djalë, me një edukim të dobët dhe me një zanat që në moshën 11-vjeçare. Kur mbushi 18 vjeç Tuejn punonte si tipograf në qytete të tilla si Nju Jork, Filadelfia, St. Luis, ndërsa netët i kalonte duke lexuar në bibliotekën kombëtare. Librat ishin lidhja e tij më e madhe me dijen, ai lexonte gjithçka, përpara se të bëhej ndër të tjera një kapiten anijesh me avuj. Ai vazhdoi të punonte derisa shpërtheu Lufta Civile e Amerikës. Pas një shërbimi të shkurtër në ushtrinë e Konfederatës ai filloi udhëtimet rreth vendit duke shkruar gjithë kohës. Tuejn është një shembull i qartë sesi zgjuarsia nuk mund të mësohet, ajo lind.

Henri Ford, industrialist dhe sipërmarrës

Në historinë e Amerikës, pak njerëz e kanë përcjellë kaq mirë idenë e një burri të formuar në mënyrë autodidakte, sa Henri Ford. Ai është një nga personat që kujtohet për krijimin e industrisë së automobilave në Amerikë. Ford kishte një shkollim shumë të kufizuar, duke qenë se kishte lindur në një fermë në periferi të Detroit, rritur me një baba që besonte se një ditë djali i tij do të drejtonte fermën e familjes. Por përkundrazi Ford la shtëpinë në moshën 17-vjeçare dhe u largua në qendër të Detroit, ku u bë nxënës i një mekaniku. Një karrierë kjo, të cilën ai e çoi në nivele të larta dhe që i shërbeu për t’u bërë më pas një industrialist i pasur. Ford, pavarësisht arsimit të tij, krijoi linjën e automjeteve për Asamblenë Amerikane. Nuk kaloi shumë kohë dhe Detroiti u quajt qyteti i motorëve, për shkak të punës së palodhshme të Henri Ford. Ai vdiq në vitin 1947, duke lënë një pasuri që vlente 60 milionë dollarë.

Uilliam Shekspir, poet dhe dramaturg

Një nga emrat më të njohur në histori, Uilliam Shekspir, krijoi disa nga punët më të njohura dhe të dashura të botës, që nga Romeo dhe Zhulieta deri te Makbethi. Jeta e tij është shumë pak e njohur dhe e mbushur me errësirë në lidhje me të dhënat e arsimit të tij. Studiuesit janë të lëkundur në lidhje me faktin nëse ai studioi në shkollën “King’s New Scool”, apo nëse sipas shkrimeve të tij ai nuk ishte pjesë e asnjë shkolle pas moshës 13-vjeçare. Është shumë e habitshme që një njeri, i cili ka meritën për shpikjen e më shumë se 1700 fjalëve, sipas të gjitha llogarive nuk kishte as arsim të mesëm. Puna e tij është përkthyer në të gjitha gjuhët e botës, dramat e Shekspirit janë luajtur në teatrot botërorë dhe shumë filma vazhdojnë të krijohen frymëzuar nga veprat e tij.

Uillson Çërçill, burrë shteti dhe udhëheqës lufte

Një prej figurave më të forta politike të shekullit XX, një mendje e njohur dhe një autor shprehjesh të famshme. Çërçilli lindi në një familje aristokrate. Nuk është aspak çudi të mendosh se ai u rrit për të qenë në radhët e atyre të cilët do ta çonin Mbretërinë e Bashkuar drejt fitores në Luftën e Dytë Botërore. Çudia është se nëse ai nuk do të përfshihej në listat e personave të rëndësishëm, shkaku do të ishte arsimimi i tij i ulët. Çërcilli, duke qenë se vinte nga një familje e ngritur, kishte mundësinë për të marrë edukimin më të lartë të mundshëm. Ai, nga ana tjetër, e pa shkollën si të vështirë dhe për këtë arsye e ndoqi shumë pak. Për të kaluarën e tij akademike ai është përfolur shumë herë. Në shërbimin ushtarak dha gjithashtu një rendiment të ulët. Aplikoi tri herë për të hyrë në Universitetin Mbretëror të Ushtrisë, por u pranua vetëm për shërbim në kalorësi, sepse aty kërkesat për aftësi të mira në matematikë ishin të ulëta. Vlerësohet si një nga udhëheqësit më të mirë të kohës së luftës në shekullin XX, shërbeu si Kryeministër dy herë në 1940-1945 dhe 1951-1955. I njohur si burrë shteti dhe orator i shkëlqyer, Çërçilli ishte gjithashtu oficer në ushtrinë angleze gjatë luftës, historian, shkrimtar dhe artist. Është i vetmi Kryeministër britanik, i cili është vlerësuar me çmimin “Nobel” në letërsi dhe personi i parë që i është dhënë çmimi “Qytetar Nderi i Amerikës”.

Abraham Linkoln, President i SHBA-së

Ndoshta Presidenti më i njohur në historinë e Amerikës. Abraham Linkoln ishte burri i 16 që drejtoi SHBA-në. Ajo ishte ndoshta koha më e vështirë, sepse trazirat ishin të shumta gjatë luftës civile mes skllavopronarëve të jugut dhe kapitalistëve të veriut. Abraham Linkoln njihet si njeriu që i dha fund skllavërisë në Amerikë edhe pse jo nëpërmjet dekretit të tij për lirimin e skllevërve, i cili nuk kaloi në Kongres. Linkoln njihej si përtac dhe si personi i edukuar pak a shumë vetë. Këto paragjykime nuk e larguan atë nga karriera e tij si politikan i suksesshëm, e cila vlerësohet të ketë ardhur nga leximet me qirinj, që ai bënte në kabinën e tij të drunjtë.

Albert Ajnshtajn, fizikan

Burri i etiketuar si gjeni, burri që publikoi më shumë se 300 punime shkencore, njeriu që fshihet pas formulës së njohur të fizikës E=MC2, njeriu që nxori teorinë e relativitetit, burri që fitoi çmimin “Nobel”, ishte në fakt një gjimnazist i dorëhequr. Përpjekja e tij për të hyrë në universitet u kundërshtua, pasi nuk mori provimet e hyrjes. Por kjo nuk e ndaloi Ajnshtajnin të bëhej shkencëtari më i njohur i kohëve moderne, ndihmesa e të cilit ka një rëndësi thelbësore në përparimet e deritanishme shkencore. Ai është shembulli ideal i frymëzimit për studentët, të cilët dëshirojnë të bëhen gjeni.

Pra, nëse arsimi juaj nuk është në nivelet e kërkuara, mos u shqetësoni, keni më shumë mundësi se të tjerët për t’u bërë një miliarder. / KultPlus.com

Të ngjajshme