22 Qershor, 2020 - 1:18 pm
Katër vite pas vdekjes tragjike të vogëlushes Xheneta Gashi në rrugën “Marin Barleti” në Prizren, asnjë zyrtar institucional nuk është dënuar nga drejtësia, edhe pse analiza e përgjegjësisë institucionale në raport me sigurinë publike dhe mbrojtjen dhe menaxhimin e Qendrës Historike nxjerr një numër të madh institucionesh e zyrtarësh përgjegjës për rastin (si në nivel lokal ashtu edhe atë qendror).
Lidhur me këtë rast, është zhvilluar procedura gjyqësore vetëm ndaj ish‐drejtorit të Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, B.E. Sipas njoftimit me shkrim të Gjykatës Themelore të Prizrenit, me datën 11 nëntor 2019 kjo gjykatë ka shpallur aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarit me iniciale B.E., me arsyetimin se në veprimet e tij nuk formohen elementet e veprave penale sipas aktakuzës, “pasi që ato nuk kanë të bëjnë me figurën e veprave penale të cilat janë të përcaktuara me ligj”.
EC Ma Ndryshe në gusht të vitit 2017 kishte publikuar opinionin “Drejtësi të plotë për Ec Ma Ndryshe në gusht të vitit 2017 kishe publikuar opinionin ‘Drejtësi të plotë për Xhenetën’ (https://ecmandryshe.org/repository/docs/Opinion_Drejtesi_te_plote_per_Xheneten.pdf), ku kishte shprehur dyshimin nëse aktakuza në fjalë mund të sillte drejtësi të plotë për rastin tragjik të Xheneta Gashit.
Ky dyshim në mes tjerash ishte bazuar edhe në faktin se rastet e kaluara të ndjekjes së veprave penale brenda Qendrës Historike ishin procese të stërzgjatura të hetimeve dhe se asnjëherë nuk patën prodhuar aktgjykime dënuese, derisa edhe në ato pak raste të përfundimit në gjykatë, aktakuzat për veprat penale brenda Qendrës Historike kanë qenë tejet shterpe, duke i sfiduar edhe gjykatësit në marrjen e vendimeve dënuese. / KultPlus.com