‘Paketa e maleve’, Rama apel të rinjve: Bëhuni pjesë e zinxhirit të suksesit ekonomik të turizmit

1 Shkurt, 2025 - 3:28 pm

Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “kudo nga Tropoja, në Konispol, ku toka quhet Shqipëri, po krijohet një mundësi”.

Në fjalën e tij në Kuvendin Rinor të Partisë Socialiste, Rama tha se “sot mbështetja për të gjithë të rinjtë në Shqipëri apo emigracion që duan të investojnë në shtëpinë apo tokën e gjyshërve në fshat për të ndërtuar një bujtinë apo një agroturizëm dhe për t’u bërë pjesë e zinxhirit të suksesit ekonomik të kësaj dege fitimprurëse të industrisë sonë të re turistike është shumëfishuar’.

“Ata do të mund të përfitojnë edhe nga paketa e re e maleve, e cila ka kaluar në qeveri dhe është në rrugën e parlamentit edhe nga linja e re e financimit të Bankës së Shqipërisë prej 250 milionë eurosh, ku qeveria do të kujdeset në mënyrë të veçantë që të rinjtë e interesuar të gjejnë sa më shumë veten,” tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “dua që sa më shumë të rinj nga fshati që i kanë kthyer kurrizin shtëpisë së gjyshit, tokës së gjyshit dhe që enden në qytet duke u ankuar se s’ka punë, apo të rinj në emigracion që rropaten duke bërë edhe dy punë për të marrë në fund të ditës paga që nuk i dalin për asgjë përveçse për të shlyer detyrimet e muajit dhe për të filluar përsëri të rropaten për muajin tjetër, duke fjetur nga katër e pesë veta në një dhomë të mund të bëjnë atë që po bëjnë, është reale gjithnjë e më shumë”.

“Të rinj nga Thethi, në majën e majave të cilët janë kthyer dhe po kthehen dhe janë bërë gurë të rëndë në vendin e tyre. Madje ata atje në majë të malit kanë disa që nxjerrin të ardhura për veten e tyre po e po, por edhe të ardhura që ua çojnë familjeve që janë akoma në emigracion. Motra e vëllezër që kanë fëmijë për të çuar atje në shkollë dhe nuk iu del më siç u dilte deri dje kur ishin në Itali e Angli,” nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “e përsëris, e dëgjuat mirë, iu çojnë edhe atyre ndihmë nga Thethi, në majë, sepse në çdo pikë të Shqipërisë, në çdo mal, luginë, kthesë, fshat edhe më i humburi qoftë aty ku ka një tokë nga gjyshi dhe ku ka një ngrehinë që mund ta kthesh në ngrehinë mikpritje nuk je ti më të mendohesh e rropatesh si do prodhosh, e ku do e çosh prodhimin, e si do e shesësh, e sa do kushtojë karburanti. Ti je zot atje, dhe të vijnë atje për të shijuar mikpritjen atë që ti ofron dhe t’i sjellin lekët atje. Prandaj dhe turizmi quhet eksport”.

Të ngjajshme