“Paleta e vjetër”, ekspozita e Roland Karanxhës ditën e Krishtlindjes

26 Dhjetor, 2024 - 11:25 am

U çel dje, në ditën e Krishtlindjes, ekspozita e mjeshtrit të njohur të artit figurativ, Roland Karanxha.

Ekspozita vetjake e Karanxhës titullohet “Paleta e vjetër” dhe do të jetë e hapur për publikun në Galerinë e Arteve “Guri Madhi” në Korçë.

Të pranishëm në ceremoninë hapëse ishin artdashës, kolegë të piktorit, personalitete të artit në Korçë e më gjerë. Mes tyre edhe kryebashkiaku Sotiraq Filo dhe prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole.

“Ekspozita përbën një pasqyrë të veçantë të krijimtarisë artistike të Roland Karanxhës, punimet e të cilit janë të njohura për detajet e mprehta dhe pasionin që ai shpreh në çdo vepër”, u shpreh Filo. Edhe prefekti Jole vlerësoi dhe uroi piktorin Roland Karanxha, bashkëqytetarin artist, të njohur në gjithë vendin, që solli nëpërmjet ngjyrave të tij karakteristike një ekspozitë shumë të veçantë.

“Paleta e vjetër” ofron një mundësi të shkëlqyer për adhuruesit e artit dhe të kulturës të cilët përjetojnë një shkrirje mes realitetit dhe imagjinatës, ku mjeshtri Karanxha ka arritur të kapë dhe shprehë shpirtin e një populli dhe një qyteti që ka shumë për të treguar.

Jole tha se ekspozita ishte vërtet një udhëtim i bukur përmes ngjyrave dhe penelit të piktorit korçar dhe një rast për të qenë mes bashkëqytetarësh, miqsh dhe adhuruesve të arteve pamore.

Të ngjajshme