6 Janar, 2021 - 7:02 pm
Astronomja kosovare, Pranvera Hyseni ka publikuar një pamje magjepsëse të Mjegullnajës së Orionit të shkrepur në janar të këtij viti, shkruan KultPlus.
Hyseni ka treguar se imazhi është shkrepur me 5 janar të këtij viti nga teleskopi 17 inç në Kili, nëpërmjet platformës Slooh.
Më poshtë mund të lexoni statusin e saj të plotë:
Këtë vit dua ta filloj me një imazh të Mjegullnajës së Orionit, e njohur gjithashtu si Messier 42, të cilën e kam shkrepur me 5 janar 2021 nga teleskopi 17 inç në Kili, nëpërmjet platformës Slooh.
Mjegullnaja e Orionit është njëra ndër objektet më të popullarizuara në hapësirën qiellore, e cila ndodhet rreth 1,350 vite dritë larg Tokës. Ajo është gjithashtu ndër mjegullnajat më të studiuara, e përbërë nga re gazi dhe pluhuri që formojnë yje të reja., si dhe është ndër mjegullnajat më të ndritshme, e cila shpeshëherë mund të spikatet me sy të lirë në konstelacionin e famshëm të Orionit. / KultPlus.com