Pamje nga Liqeni i Shkodrës

25 Qershor, 2023 - 8:26 pm

Kryeministri Edi Rama ndau pasditen e së dielës, në rrjetet sociale pamje nga Liqeni i Shkodrës.

Rama publikoi një video nga kjo pikë turistike, ku shihen pushues të moshave të ndryshme, që janë ulur dhe sodisin pamjen piktoreske të liqenit, duke dëgjuar muzikën që luan kuarteti i harqeve në platen e vendosur në breg të liqenit.

Repertori i kuartetit të harqeve, vjen si një tjetër surprizë e këndshme për pushuesit e apasionuar pas muzikës, që frekuentojnë Liqenin e Shkodrës.

I konsideruar si një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit, ky liqen dallon për ajrin e pastër dhe bukuritë natyrore.

Liqeni i Shkodrës gjatë këtij viti ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Kjo zonë gjatë periudhës janar-shtator u vizitua nga 143 710 vizitorë, nga të cilët 78 800 vendas dhe 64 910 të huaj.

Ndër pikat turistike më të vizituara në liqen janë “Syri i Sheganit”, Shiroka, Zogaj. Ndërkohë që numri i vizitorëve është rritur edhe falë sporteve ujore si kanoet,varkat dhe gondolat veneciane që janë zhvilluar gjatë këtij sezoni turistik./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme