Pamje nga Parku i Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë (VIDEO)

18 Korrik, 2023 - 7:31 pm

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë, projekti ambicioz, i cili është pjesë e transformimit rrënjësor të Vlorës, siguron një infrastrukturë moderne e të mirësistemuar, që rrit përmasën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijon një mundësi urbanistike të re, duke lidhur natyrshëm Bulevardin e Ri dhe Lungomaren.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ajri të Parkut të ri të Shtëpisë së Pavarësisë në Vlorë, një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit, që po bëhet përditë e më tërheqës.

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë ka marrë jetë në hapësirën këmbësore nga rrethrrotullimi i Skelës, deri tek porti, ku lidh bulevardin e ri “Ismail Qemali” me Lungomaren, një oaz fantastik me Shtëpinë e Flamurit mes gjelbërimit dhe plot kënde pushimi e argëtimi për të gjitha moshat.

Projekti për rikualifikimin urban të sheshit dhe ndërtimin e Parkut përfshin edhe integrimin e kësaj hapësire me Lungomaren deri tek tuneli./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme