27 Prill, 2020 - 11:30 pm
Italia ishte vendi më i goditur në Evropë kur filloi të përhapet coronavirusit në këtë kontinent. Megjithatë me kalimin e javëve, primatin e vendit më të goditur në Evropë ia rrëmbeu Spanja, që shënon një numër shumë të madh të vdekjeve dhe të prekurve me coronavirus.
E rajonet që konsiderohen si më të prekura në Itali janë Lombardia dhe në përgjithësi pjesa veriore e vendit. Pas masave të rrepta mbrojtëse të vëna nga qeveria italiane në krye me kryeministrin Guiseppe Conte, i tërë vendi u fut në karantinë duke bërë që rrugët, metrotë, stacionet e autobusëve, portet detare e madje edhe trafiku ajror të duken të “zbrazët”.
Një prej vendeve që më së shumti është vërejtur karantinimi është qyteti i Venedikut, që zakonisht në këtë periudhë kohore është i stërmbushur nga turistë nga e mbarë bota të cilët shijojnë lundrimin me gondola nëpër kanalet e qytetit.
Pamjet e filmuara nga ajri tregojnë se si destinacionet e preferuara turistike tashmë e dy muaj janë të zbrazëta dhe përpos ndonjë shpendi, zor kush se vërehet duke lëvizur kjo për shkak të masave mbrojtëse ku përfshihet lëvizja kufizuese, qëndrimi në shtëpi dhe ndalja e punimeve në sektorë të ndryshëm.
Nga sheshi St Mark e deri te ura Rialto, pamjet nga droni tregojnë se si gjatë natës por edhe ditës, nuk ka lëvizje të mëdha e ky izolim që konsiderohet si më i gjati në botë, pritet t’i vie fund gjatë javëve të ardhshme, për shkak se ka rënie të prekurve dhe vdekurve nga COVID-19.