2 Tetor, 2024 - 10:58 pm
Në Berlin u çel panairi më i madh shqiptar i gastronomisë Global Albanian Gastronomy Festival ku po prezantohen produktet bujqësore shqiptare.
Në hapjen e këtij panairi, mori pjesë edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani si dhe kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako dhe kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi.
Gjithashtu, në panair merrnin pjesë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ministri i Bujqësise, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peci, zv.kryeministri i Parë dhe ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
Në panair marrin pjesë 22 subjekte shqiptare që prezantojnë produktet ‘Made in Albania’ për promovimin e traditave më të mira, duke njohur tregjet ndërkombëtare me cilësinë unike të produkteve të prodhuara me përkushtim e dashuri.
Ministrja Denaj u shpreh se, ky panair po shfrytëzohet si një mundësi shumë e mirë për nxitjen e bashkëpunimit mes subjekteve dhe njerëzve të punës.
Gjithashtu ministrja Denaj mori pjesë edhe në në panelin e diskutimit me homologun e Kosovës, Faton Peci, kryetarin e Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti dhe Altini Prengën nga ‘Mrizi i Zanave Agroturizëm’, mbi zhvillimin e qëndrueshëm të agroturizmave.
Në këtë panel Denaj theksoi rëndësinë që qeveria shqiptare i ka dhënë mbështetjes së këtij sektori.
“Me lehtësitë fiskale, si 6% TVSH dhe 5% tatim mbi fitimin, po inkurajojmë rritjen e numrit të agroturizmave të certifikuar dhe përmirësimin e ofertës së subjekteve”, u shpreh Denaj.
“Agroturizmi, jo vetëm që ruan kapitalin njerëzor vendas, por gjithashtu gjeneron vende pune dhe mbështet ekonomikisht familjet fermere, me mesatarisht 22 familje që përfitojnë nga çdo njësi turistike”, nënvizoi Denaj.
Ministrja u shpreh se është koha të investojmë në zhvillimin e qëndrueshëm për të ardhmen./atsh/ KultPlus.com