Panairi i Librit, Rama: Organizim vlerash dhe promovim i leximit

14 Nëntor, 2024 - 3:33 pm

Edicionin e 27-të të Panairit të Librit që po zhvillohet në Tiranë, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një organizim vlerash dhe promovimi të leximit.

Kryeministri ndau përmes rrjeteve sociale, pamje nga panairi, duke shkruar “Atmosferë e bukur në Panairin e Librit. Kënaqësi të shohësh kaq shumë interes në këtë organizim vlerash dhe promovimi të leximit”.

Në pamjet e publikuar nga Kryeministri Rama, vërehen fëmijë e të rritur të cilët kanë një interes të  shtuar në drejtim të librit dhe botimeve më të fundit që ekspozohen në panairin e Librit, “Tirana 2024”

Edicioni i 27-të i panairit “Tirana 2024”, nisi dje, si një prej ngjarjeve më të mëdha të librit në Shqipëri. Motoja e këtij viti është “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”.

Panairi ka mbështetjen e Shoqatës së Botuesve dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Në të marrin pjesë 90 botues, jo vetëm nga Shqipëria por edhe nga treva të tjera shqipfolëse. Në këtë panair, përveç titujve të rinj për lexuesit, do të vijnë dhe takime me autorë dhe përkthyes të ndryshëm./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme