29 Prill, 2025 - 10:30 am
Një panair i madh i artizanatit do të zhvillohet në Tiranë, me qëllim promovimin e traditës dhe artizanëve shqiptarë.
Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se, pjesëmarrja e ekspozitorëve në ZAN’ART paraqet një mundësi të shkëlqyer për zgjerimin e tregjeve artizanale.
Panairi ZAN’ART – “Artizanati Shqiptar nga Tradita në modernitet”, do të sjellë nesër në Hotel Rogner, 35 ekspozitorë të artizanatit shqiptar të cilët do të demonstrojnë produkte autentike si: qeleshja shqiptare; çiftelia në miniaturë; kostumet kombëtare; suvenire dhe veshje me motive shqiptare; qëndisjet tradicionale; punimet në dru dhe qelq; poçeria e filigrani; maska veneciane dhe shumë produkte të tjera unike që mbartin traditën shqiptare.
Workshop-i është një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth kulturës dhe traditave shqiptare. Për këtë arsye, do të zhvillohen 11 workshop-e nga mjeshtrat e artizanatit ku do të prezantojnë teknikat tradicionale të punimeve artizanale për të nxitur kreativitetin dhe vlerësimin e artizanatit./atsh/KultPlus.com