Panairi i mjaltit në Librazhd bashkon 200 fermerë

22 Shtator, 2024 - 5:31 pm

Zona e Librazhdit është një nga prodhuesit kryesor të mjaltit në qarkun e Elbasanit.

Janë 6 mijë koshere në të gjithë territorin ku qindra fermerë vazhdojnë traditën e tyre në prodhimin e mjaltit, falë edhe kushteve të përshtatshme të zonën me bimësi të pasur, çka i mundëson bletës ushqim të pastër e për pasojë një mjaltë cilësor.

Bashkia e Librazhdit tashmë e ka kthyer në traditë të përvitshme organizimin e “Panairit të Mjaltit”.

Edicioni i 7-të i këtij eventi që u mbështet nën kujdesin e kryebashkiakut Mariglen Disha, bëri bashkë mbi 200 fermerë e subjekte të ndryshme bujqësore, që sollën në këtë panair jo vetëm mjaltë cilësor, por edhe produkte të tjera bio të zonës.

Në këtë aktiviteti ishin të pranishëm ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbian Mazniku, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, e institucioneve të linjës.

Panairi e ndoqën vizitorë të ndryshëm, por edhe turistë të huaj që provuan mjaltin e përpunuar përmes mënyrës tradicionale, por edhe teknologjisë moderne nga bletërritësit.

Kryebashkiaku Mariglen Disha, u shpreh se “tradita e këtij panairi ka ndihmuar bletërritësit të krijojë klientë të qëndrueshëm nga e gjithë Shqipëria dhe të promovojnë, jo vetëm mjaltin, por të gjithë prodhimet e tyre bujqësore dhe prodhimet artizanale”.

Disha vuri theksin në mbështetjen e fermerëve dhe sektorit të bujqësisë.

“Ne do të ndihmojmë gjithë bletërritësit,fermerët për gjithë produktet që prodhojnë dhe për daljen në tregje të reja” tha ai./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme