25 Shkurt, 2025 - 1:01 pm
Shqipëria do të mirëpresë botën si vendi i nderit në panairin më të madh global të turizmit ITB Berlin më 4 deri më 6 mars.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale videon promovuese të Shqipërisë në këtë panair.
“Së bashku me Kryeministrin Edi Rama, partnerë, turoperatorë dhe hotelierë përmes performancave artistike dhe paneleve të diskutimit, ofertave turistike dhe takimeve B2B do të prezantojmë përvojat, emocionet dhe shijet unike që e bëjnë Shqipërinë një destinacion turistik të shumëdëshiruar”, shkruan Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u shpreh se “me 190 vende pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozues në ITBBerlin, Shqipëria Turistike do të jetë sërish në qendër të vëmendjes globale”.
Në fokus të panairit do të jenë agroturizmi, kulinaria, pijet tradicionale, tradita në veshje e muzikë, kultura shqiptare e sjell si instrument tërheqës në ofertën turistike shqiptare gjithëvjetore. Po ashtu, pjesë e panairit do të jetë dhe turizmi i aventurës përmes shtigjeve piktoreske që ofron natyra shqiptare. Në fokus do të jetë dhe Riviera e mrekullueshme e vendit tonë. Në total parashikohen 19 zëra të ofertës turistike shqiptare./atsh/KultPlus.com