4 Shkurt, 2023 - 1:30 pm
Më 11 mars 2023 do të mbahet panairi i bizneseve nga Lugina e Preshevës në Wetzikon-ZH-Zvicër, ku bizneset e suksesshme nga Lugina prezantohen së bashku para publikut në shtetin helvetik.
Sipas një njoftimi të Komunës së Bujanocit, hapja zyrtare e panairit do të bëhet në ora 10:00.
Produktet, shërbimet, si dhe punën e tyre do t’i prezantojnë 15 biznese shqiptare që prodhojnë në Luginë të Preshevës, kryesisht në drejtimin e prodhimeve të: dyer, dritare, kuzhina, punime nga metali si rrethoja të ndryshme e skele, mobile, eko radiator për nxemje dhe shërbime të ndryshme. Si pjesë e panairit do të jetë katalogu i përbashkët i bizneseve pjesëmarrëse ku do të prezantohen firmat në panair, i cili do t’u shpërndahet vizitorëve. Organizatorët besojnë se kjo është një mundësi e mirë që bizneset nga Lugina të prezantojnë punët dhe produktet e tyre. Gjithashtu, është mundësi e mirë për komunitetin tonë në diasporë që t’i vizitojnë bizneset nga ajo anë e shqiptarisë, të njihen me veprimtarinë e tyre.
Presim që ky event të sjelli rezultate dhe nga panairi te krijohen bashkëpunime të reja biznesi në përgjithësi, por gjithashtu edhe lidhje më konkrete mes bizneseve dhe qytetarëve tonë në diasporë. Prandaj, ftojmë qytetarët shqiptarë dhe bizneset, edhe nëse nuk janë pjesëmarrës në panair të na vizitojnë dhe të shfrytëzojnë këtë event për njohje të reja. Në panair pritet të marrin pjesë: Shoqata aksionarësh zvicerane, rrjeti i bizneseve shqiptare në Zvicër, Oda ekonomike, lidhje të bizneseve dhe përfaqësues të ambasadave nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia në Zvicër.
Ky panair organizohet nga Fondi Humanitar për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në bashkëpunim me Prof. Dr. Lulzim Rashiti, siç thuhet edhe në njoftimin e Komunës së Bujanocit./Prointegra/ KultPlus.com