Pandemia mban shkollat mbyllur, Shahini: Mësimi vijon online pa afat

1 Prill, 2020 - 10:00 pm

Ministrja e Arsimit në Shqipëri Besa Shahini doli në një deklaratë për media pas vendimit të Task Forcës kundër koronavirusit për të zgjatur edhe më tej mbylljen e institucioneve arsimore deri në përfundimin e pandemisë Covid-19.

Shahini deklaroi se tashmë nuk ka një datë se kur mësimi do të fillojë normalisht, derisa informoi se ai do të vijojë online.

“Task Forca për koronavirusin, duke parë zhvillimin dhe përhapjen e pandemisë dhe efektin që ajo ka patur në shëndetin e qytetarëve, ka vendosur që të shtyjë pa afat vendimin për mbylljen e institucioneve arsimore. Pra, sot që flasim nuk e kemi një datë specifike se kur hapen shkollat dhe universitetet dhe kur mund të fillojë të zhvillohet mësimi normalisht në kushte shkolle”.

“Ministria e Arsimit do të vijojë me organizimin e xhirimeve të leksioneve për arsimin parauniversitar. Mësuesit do të vijojnë komunikimin me nxënësit duke u kujdesur për ta. Universitetet kanë kaluar një pjesë të lëndëve online dhe bëj ftesë që të gjitha lëndët të kalojnë online, pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kjo situatë”, tha ajo. / A2 / KultPlus.com

Të ngjajshme