15 Korrik, 2020 - 10:00 pm
Angazhimi dhe sakrifica e mjekëve në mbarë botën në përballimin e pandemisë së koronavirusit ka ngacmuar qytetin e Shkodrës për të hapur një konkurs të veçantë fotografik. Është Organizata për Planifikim të Qëndrueshëm Urban GO2, e cila ka shpallur para pak ditësh konkursin fotografik në shenjë nderimi për punën e mjekëve.
Konkursi realizohet përmes nxjerrjes nga arkivat familjare të fotografive dhe historive personale që fshihen pas këtyre fotografive. I ndërtuar mbi dy shtylla të përhershme: familja dhe historia, konkursi fokusohet rreth temave të ndjeshme të jetës së qytetit.
“Këtë herë u zgjodhën mjekët, sepse sakrifica e tyre kalon thuajse gjithmonë në heshtje dhe njerëzit kujtohen për ta vetëm kur janë vërtet në hall”, – thotë Drejtorja Ekzekutive e GO2, Eltjana Shkreli, duke iu referuar vëmendjes që morën ekipet mjekësore gjatë pandemisë.
Megjithatë, konkursi i këtij viti është një homazh për punonjësit e mjekësisë (studiuesit, mjekët, infermierët, farmacistët, laborantët etj.) përpara vitit 1990. Sipas organizatorëve, kjo zgjedhje është bërë me qëllim ruajtjen e kujtesës kolektive, por edhe ndërgjegjësimin për humanizmin e këtij profesioni.
Me profesion planifikuese urbane, Shkreli është nismëtare e këtij konkursi fotografik unik për nga metodologjia, që ka nisur pesë vjet më parë. “Sfida është se konkursi nuk mjaftohet me fotografinë, por synon sidomos rrëfimin njerëzor, historinë që shoqëron çdo shkrepje, duke i mëshuar ruajtjes dhe freskimit të kujtesës kolektive dhe trashëgimit të saj në breza”, – thotë Shkreli. “Nuk është gjithmonë e lehtë të fitosh besimin e njerëzve që përveç fotografisë, të tregojnë historitë e tyre personale, ndonjëherë edhe intime, dhe t’i bëjnë ato publike.”
Në konkursin me temë “Kujdesi shëndetësor përpara vitit 1990” pranohen vetëm fotografi origjinale të shkrepura përpara vitit 1990, të cilat dëshmojnë punën e studiuesve, mjekëve, infermierëve, farmacistëve, laborantëve etj., nga çdo fushë e mjekësisë. Tërheqja e formularëve si dhe dorëzimi i fotografive bëhet çdo ditë pranë zyrave të kësaj organizate në Shkodër, ndërsa afati i konkurrimit është deri më 12 Shtator 2020.
Ky konkurs fotografik e ka zanafillën në vitin 2016. Si qyteti kampion në Europën Juglindore ku biçikleta zë 29% të lëvizjes urbane, Shkodra organizoi konkursin e parë pikërisht me këtë temë dhe në të morën pjesë 26 konkurrentë të cilës sollën 66 fotografi. Në konkursin e dytë, me temë banesën qytetarë shkodrane morën pjesë 27 konkurrentë me 165 fotografi. Ndërsa konkursi i tretë, me temë jetën kulturore në qytet, ishte një sukses i vërtetë pasi 44 konkurrentë sollën 306 fotografi. Në këtë mënyrë, ashtu sikurse janë shprehur disa prej anëtarëve të jurisë së këtij konkursi, si Përparim Kabo, Qerim Vrioni etj., Organizata GO2 po krijon një arkiv të hapur të qytetit të Shkodrës, i cili do t’u shërbejë brezave të ardhshëm për të kuptuar dhe për t’u ndjerë krenarë me këtë trashëgimi.
Fotografitë e përzgjedhura nga juria bëhen pjesë e një ekspozite të madhe, që tradicionalisht hapet në një mjedis karakteristik Shkodran, si dhe përfshihen në albumin dygjuhësh (shqip-anglisht) “Shkodra -familja, shëndeti, historia ime”.