Papa Françesku bën thirrje t’i jepet fund luftës në Ukrainë

25 Dhjetor, 2024 - 5:45 pm

Papa Françesku bëri thirrje sot për bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës që nisi me sulmin në shkallë të gjerë të Moskës, më shumë se dy vite më parë, e që ka shkaktuar me dhjetëra mijëra të vrarë.

Në fjalimin e tij në ditën e Krishtlindjes, duke iu referuar konfliktit në Ukrainë Papa bëri thirrje për “të gjetur guximin e nevojshëm për t’u hapur derën negociatave”.

Duke folur nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit, para mijëra njerëzve të mbledhur në shesh, Papa tha se uronte që “zhurma e armëve në Ukrainën e shkatërruar nga lufta, të ndalej”.

Ai bëri thirrje gjithashtu për gatishmëri për “dialog e për t’u takuar”, në mënyrë siç tha ai “të arrihet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme”.

Papa Françesku, i cili ka qenë Papë që nga viti 2013, u kritikua nga zyrtarët ukrainas këtë vit kur tha se vendi duhet të ketë guximin për të negociuar me qëllim dhënien fund të luftës me Rusinë.

Më parë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e kishte përjashtuar më mundësinë e bisedimeve për paqe pa rivendosjen e kufijve të Ukrainës së paraluftës.

Por zoti Zelenskiy ka treguar gatishmëri në rritje që nga momenti i rizgjedhjes së Donald Trump-it si president i Shteteve të Bashkuara, për të hyrë në negociata.

Më herët gjatë muajit dhjetor, zoti Zelenskiy hodhi idenë e një zgjidhjeje diplomatike që do të përfshinte “ngrirjen” siç tha ai të linjave aktuale të betejës dhe vendosjen e trupave të huaja në Ukrainë. Rusia ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga ambiciet e saj për t’iu bashkuar aleancën ushtarake të NATO-s.

Po sot Papa Françesku, bëri thirrje për t’i dhënë fund konflikteve, politike, sociale apo ushtarake, në vende si Libani, Mali, Mozambiku, Haiti, Venezuela dhe Nikaragua. /VOA/ KultPlus.com

Të ngjajshme