6 Maj, 2020 - 12:30 pm
Papa Françesku ka thënë të mërkurën se punëdhënësit duhet ta respektojnë dinjitetin e punëtorëve, veçanërisht të imigrantëve, pavarësisht vështirësive ekonomike të shkaktuara nga koronavirusi.
“Është e vërtetë se kriza është duke i prekur të gjithë, por dinjiteti i njerëzve duhet të respektohet gjithmonë”, tha ai, duke shtuar se ka pranuar shumë mesazhe më 1 maj për problemet e punëtorëve.
Papa gjithashtu tha se dëshiron t’i mbrojtë të gjithë punëtorët e shfrytëzuar dhe se i fton të gjithë që këtë krizë ta kthejnë në një shembull ku dinjiteti i individit dhe dinjiteti i punës të kthehen në qendër.
Ai i përmendi në veçanti punëtorët e fermave në Itali, shumica e të cilëve janë imigrantë. Javëve të fundit, në Itali ka pasur arrestime të pronarëve të fermave, të cilët punësojnë njerëz në fusha, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Javën e kaluar, tre pronarë fermash dhe një imigrant nga Gambia u arrestuan nën akuzën për shfrytëzim të 50 punëtorëve imigrantë në rajonin jugor të Puljas.
Në një rast tjetër, tre shqiptarë u arrestuan në një punishte vere në Italinë veriore pasi u akuzuan se i kanë detyruar imigrantët që të punojnë deri në dhjetë orë në ditë pa pushim dhe u kanë dhënë paga të vogla. / KultPlus.com