Papa Françesku shfaqet papritur mes besimtarëve në sheshin e Shën Pjetrit

6 Prill, 2025 - 3:22 pm

Papa Françesku, i shëruar nga një pneumoni e rëndë, bëri sot një paraqitje surprizë në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan duke përshëndetur dhe bekuar besimtarët, dy javë pas daljes nga spitali.

“Gëzuar të dielën të gjithëve. Faleminderit shumë”, deklaroi papa 88-vjeçar, me një zë ende të brishtë, por më pak të dobët se kur u largua nga spitali ”Gemelli”, më 23 mars.

Nën kamerat e celularëve, papa eci nëpër turmën e besimtarëve në sheshin përballë sheshit të Shën Pjetrit, i shtyrë në një karrocë me rrota dhe duke mbajtur tubat e oksigjenit në hundë, në fund të një meshe të madhe kushtuar të sëmurëve.

Para altarit, ai bekoi më pas mijëra besimtarët e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, përpara se të përshëndeste, një nga një, një grusht njerëzish pas altarit.

Edhe pse Vatikani ka raportuar përmirësime të vazhdueshme ditët e fundit, kjo paraqitje publike, e para në Vatikan që nga shtrimi i tij në spital më 14 shkurt, nuk ishte njoftuar.

Teorikisht, papa Françesku duhet t’i nënshtrohet një rikuperimi dymujor pas këtij shqetësimi të rëndë shëndetësor që kërcënoi dy herë jetën e tij, me pushim të rreptë, pa aktivitet publik dhe pa kontakt me besimtarët, për të kufizuar rrezikun e rikthimit./ atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme