8 Qershor, 2024 - 3:43 pm
Qyteti bregdetar i Sarandës u kthye në një skenë të mahnitshme nostalgjie, falë makinave klasike të sjella nga “Veteran Club Valle d’Itria” Bari.
Parada e koleksionit të makinave Retro që erdhën nga Italia, solli një atmosferë fantastike, duke tërhequr vëmendjen e qindra turistëve vendas e të huaj.
Nga modelet e hershme të viteve ’20 e deri tek ato të viteve ’80. Bie në sy, Fiat 500 Topolino, një nga makinat më të dashura italiane, simbol i rikuperimit ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore. Alfa Romeo Giulietta Spider, Ferrari, Mercedes Benz, etj. Koleksionistët italianë “Vintage Bari” që morën pjesë në këtë ekspozitë janë figura të njohura në botën e automjeteve klasike.
Ata erdhën në Shqipëri në kuadër të Javës së Kulturës Italiane dhe demonstruan makinat e tyre fillimisht në Gjirokastër e më pas edhe në Sarandë.
Këto perla të së kaluarës zbukuruan rrugët e Sarandës deri në mesnatë, duke sjellë një frymë unike dhe elegante që magjepsi të gjithë të pranishmit.
Atmosfera magjike u plotësua nga performanca e jashtëzakonshme e DJ Erta, e cila ngriti shpirtrat dhe krijoi një sfond muzikor perfekt për këtë udhëtim në kohë.
Në përfundim të mbrëmjes, përfaqësuesit e Klubit ndanë disa çmime të veçanta, si një shenjë nderimi dhe mirënjohjeje për të gjithë pjesëmarrësit.
“Ishte një natë e mbushur me emocion, kujtime dhe një energji të mirë, që do të mbetet gjatë në kujtesën e të gjithëve”, deklaroi ministri Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili ndau në rrjetet sociale pamje të paradës së koleksionit të makinave Retro. / KultPlus.com