28 Nëntor, 2024 - 9:36 pm
Në Paradën e Shqiptarëve në Tiranë po marrin pjesë sot mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet, në kuadër të 112-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“Parada kuqezi” nisi nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës dhe po përshkon bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”, ku do të zhvillohet ngritja e flamurit shqiptar.
Në hapje të paradës u shënua një moment emocionues, me recitimin e poezisë së Gjergj Fishtës “Shqypnia e lirë,” sjellë mjeshtërisht nga aktori i njohur Reshat Arbana.
Atmosfera festive u pasurua nga pjesëmarrësit që paraqitën trashëgiminë e tyre kulturore përmes këngëve popullore, instrumenteve tradicionale dhe kostumeve karakteristike nga të gjitha trevat shqiptare.
E kthyer tashmë në një traditë në New York, shqiptarët nga e gjithë bota të veshur kuq e zi dhe me veshje popullore mbushën sot rrugët e Tiranës.
Të pranishëm në paradë janë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Pjesë e paradës janë përfaqësues nga 150 qytete, delegacione nga bashki dhe komuna shqiptare, bashkë me ansamblet e tyre.
Në të dy anët e bulevardit janë edhe qytetarë të shumtë për të ndjekur nga afër paradën.
Ky aktivitet synon jo vetëm promovimin e trashëgimisë kulturore, por edhe edukimin dhe rrjetëzimin e brezave të rinj, duke forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
“Parada e Shqiptarëve” ka një ndikim të rëndësishëm në turizmin dhe ekonominë e vendit. Fluksi i pjesëmarrësve nga brenda dhe jashtë kufijve, si dhe vizitorët e huaj tërhequr nga kjo ngjarje, krijuan një atmosferë të gjallë në Tiranë.
Hotelet, bujtinat dhe restorantet përfituan nga rritja e kërkesës për shërbime, duke prezantuar mikpritjen tradicionale shqiptare dhe duke nxitur ekonominë lokale.
Kjo paradë është gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë si një destinacion unik kulturor në rajon.
“Parada e Shqiptarëve” vijon të jetë një simbol i bashkimit dhe krenarisë për të gjithë shqiptarët, duke treguar se Tirana mbetet zemra e aktivitetit kombëtar dhe promovimit të vlerave tona të përbashkëta.
Parada u organizua nën kujdesin e kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon, Erion Veliaj, dhe në bashkëpunim me Shoqatën “Rrënjët Shqiptare” (Albanian Roots – Nju Jork).
Parada e shqiptarëve, Foto: Florian Abazaj./atsh/KultPlus.com