Paradë mumiesh në Egjipt

30 Mars, 2021 - 8:28 pm

Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve të Egjiptit njoftoi se parada e shumëpritur për transportimin e 22 mumieve mbretërore nga Muzeu Egjiptian, që ndodhet në sheshin ”Tahrir” në Kajro, drejt Muzeut Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian, në Fustat, do të zhvillohet në 3 prill, sipas një njoftimi të ambasadës së Egjiptit në Tiranë.

Mumiet mbretërore që do të ekspozohen në muzeun e ri, i përkasin Dinastive XVII, XVIII, XIX dhe XX dhe përfshijnë 18 mumie të faraonëve dhe katër mbretëreshave, që pasqyrojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së gjatë dhe të mahnitshme egjiptiane.

Ato do të transferohen me automjete posaçërisht të projektuar për paradën dhe secila prej tyre do të mbajë logon dhe emrin e mumies mbretërore në arabisht, anglisht si dhe me hieroglife.

Ngjarja unike pritet të fillojë me një përshëndetje me 22 të shtëna armësh, për nder të faraonëve, duke sinjalizuar edhe daljen e automjeteve të transportit të mumieve mbretërore nga porta kryesore e Muzeut Egjiptian.

Gjatë rrugës për në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian, parada do të shoqërohet nga tingujt e muzikës tradicionale egjiptiane dhe transmetimet e drejtpërdrejta të një numri artistësh egjiptianë nga vende të ndryshme turistike.

Parada, e cila pritet të tërheqë vëmendjen e të gjithë botës, do të transmetohet drejtpërdrejt në një numër të madh të kanaleve televizive kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe në platformat e mediave sociale, ishte planifikuar më parë të organizohej në nëntor 2020, me pjesëmarrjen e një numri të madh të personaliteteve me famë botërore nga bota e artit, politikës dhe shkencës nga e gjithë bota, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, por sfidat e pandemisë së koronavirusit e bënë të pamundur organizimin si pasojë e kufizimeve të nevojshme duke marrë parasysh numrin e të ftuarve nga e gjithë bota.

”Ne duam që bota të shohë bukurinë e civilizimit të Egjiptit”, deklaroi ministri i Turizmit dhe Antikiteteve Khaled El-Anani.

Muzeu Kombëtar i Qytetërimit Egjiptian, i cili ruan në brendësi të tij mijëra artefakte historike, shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 135 000 metrash katrore.

Kjo ngjarje historike është pjesë e një serie projektesh ambicioze të qeverisë egjiptiane, përfshirë koleksionin e plotë të varrit të faraonit më të famshëm egjiptian, Tutankhamon./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme