Parashikimet për të sotmen me “Blade Runner” të 1982-it

17 Nëntor, 2019 - 6:58 pm

Qyteti shtrihet aq sa sytë mund të kapin; dritat në ndërtesat e ngjitura njëra pranë tjetrës shkëlqejnë – për dallim prej yjve të padukshëm në qiellin e natës mbushur me smog… Flakët gromësijnë prej kullave gjigante industriale. Një veturë fluturon përmes kësaj skene dhe zhduket sërish, nisur drejt dy piramidave monstruoze.

Një burrë përherë dukshëm i merakosur i nënshtrohet një testi verbal, të kryer prej mbikëqyrësit të tij në Tyrell Corporation. Nuk del aq mirë. Hasim në një tjetër veturë fluturuese që përvidhet përgjatë bulevardeve të ngushta të qytetit vërshuar me tabela digjitale që përmbajnë pamjet e një gruaje aziatike tek reklamon ushqime të shpejta. Një zë gumëzhitës u tregon gëzueshëm ardhacakëve të padukshëm, por me sa duket të shumtë të kësaj bote të çuditshme të së ardhmes, se një jetë e re i pret në kolonitë e botës përtej.

Pos se, natyrisht, kjo nuk është e ardhmja, jo më. Është “Blade Runner”-i, filmi i 1982-s me regji të Ridley Scottit, bazuar në romanin e 1968-s të Philip K. Dickut, “Do Androids Dream of Electric Sheep?”, dhe që e tregon rrëfimin e Rick Deckardit, një polic aktiv i Departamentit Policor të Los Angelesit që i gjurmon dhe “pensionon” replikantët – krijesat artificiale produkt të inxhinierisë gjenetike që janë pothuajse njerëz dhe prania e të cilëve në Tokë është ilegale, pas një revolte të tyre në njërën prej kolonive të botës së përtejme në Tokë. Krejt kjo mund të tingëllojë si abstrakte për realitetin aktual, por siç e tregon edhe skena hapëse, filmi zhvillohet në Los Angeles, në nëntorin e 2019-s. Në këtë aspekt, “Blade Runner” më nuk është fiksion shkencor. Është triler bashkëkohor. Pyetja është: 37 vjet midis publikimit të “Blade Runnerit” dhe periudhës së zhvillimit të tij – pra të tanishmen tonë – sa i është afruar filmi të ardhmes të së sotmes?

Në njërën anë janë disa pjesë të vizionit për 2019-n, që duken skajshmërish të vjetërsuara. Nuk ka internet, dhe kur hasim për të parën herë në Deckardin, ai lexon gazetë, i strehuar nga shiu përskaj dritares së një dyqani që shet modele të vjetra televizorësh. Ndërkohë, kur Deckardi i nënshtrohet testit Voight-Kampff – ekzaminim i paraparë për dallimin e replikantëve prej njerëzve përmes përgjigjeve emocionale ndaj pyetjeve verbale – Rachael, asistentja e Eldon Tyrellit, shefit të kompanisë që prodhon replikantë, thith duhan!. Koha.net / KultPlus.com

Të ngjajshme