19 Mars, 2021 - 11:28 pm
Sporti në komunizëm konsiderohej më tepër si një edukim fizik, por kishte të rinj e të reja të cilët me dashuri dhe energji dëshironin që ta shihnin sportin edhe si argëtim.
Në një intervistë në emisionin “Rreze Dielli” folëm me Flora Tota, parashutistja e parë grua në Shqipëri, për aktin heroik që ndërmori bashkë me tre vajza të reja. Ajo ndoqi ëndrrën e saj, duke krijuar kështu një copëz të vogël historie. Megjithëse sot mund të duket normale, dikur të hidheshe në 1000 metra lartësi me parashutë ishte një arritje shumë e madhe. Por si e mori Flora Tota iniciativën e tregon në këtë intervistë:
“Iniciativën e nisa unë, bashkë me një grup studentesh sepse një pjesë të atyre studenteve unë i kisha dhe shoqe si të thuash sepse ishin një vit pas meje në institut. Dhe vajtëm biseduam me drejtorin e institutit, në fillim ata nguruan pak sepse thanë çfarë është kjo, si do të realizohet por me këmbënguljen tonë ne shkuam dhe biseduam dhe me repartin ushtarak dhe ata pranuan pak me hezitim por pranuan. Ishte hera e vetme sepse nuk kishte kushte që të zhvillohej më tej ky lloj sporti sidomos për femrat” u shpreh ajo.
Ajo shprehet se në familje nuk kishin treguar per këtë akt:
“Nëpër familje nuk kishim treguar sepse dihet që ishte frika që edhe mund të na pengonin për ta realizuar këtë gjë. Por edhe dy javë stërbvitje që bëm për këtë punë nuk e dinte njeri përvec shkollës” tha ajo.
Ajo tregon arsyet pse ishte e para që mori iniciativën për t’u hedhur:
“Në avion cështë e vërteta instruktorët ishin më shumë të emocionuar se neve ndoshta nga përgjegjësia që kishin, edhe hera e parë, diçka e vështirë si do të shkonte megjithatë, kishte një rregull ai që do të hidhesh I parë duhet të dilte pak më përpara tek dera avionit. Kështu që un do hidhesha e para për dy arsye, e para sepse isha pedagogia dhe do jepsha shembullin personal dhe e dyta isha pak në peshë më e rëndë se ato të tjerat dhe ishte si rregull që kush ishte cik më I rëndë duhet të dilte I pari. Kështu që dola te dera dhe ne për katër sekonda ishim të katërta tek dera. Parashutat hapeshin njëra pas tjetrës, sigurisht ne kishim mësuar manovrimet me litarë dhe në momentin që kam rënë në tokë, e para që kam parë ishte mamaja ime. Mamaja ndiqte me sy rënien time dhe vraponte që të vinte tek vendi” rrëfen Flora Tota.
Ndërsa rrëfen që edhe pse ishin katër vajza që u hodhën atë ditë me parashutë e gjitha mbeti vetëm një ditë e veçantë pasi nuk u krijua një klub parashutizmi për femra dhe shpreh keqardhje që aq sot nuk është zhvilluar as ky sport dhe as sportet e tjera individuale:
“Këtu në Shqipëri ka qenë një repart ushtarak i specializuar që përdoresh për problemet e ushtrisë, përgatiste parashutistë, po kështu si sport as që bëhet fjalë. Klub parashutizmi nuk u bë asnjëherë por mbas nesh në ato vite ishte hapur shkolla ushtarake për vajza. Edhe vajtën nja dy tre vajza nga shkolla ushtarake mbas nesh me ato të ushtrisë. Edhe në ato vite nuk ka pasur kushte për tu zhvilluar sporti i parashutizmit. Sidomos këto sportet individuale sikur janë lënë cik mbas dore edhe nga vet ushtruesit edhe pse ndoshta duan pak kushte. Për shembull gjimnastika që kam bër unë. Unë kam qenë 7 vjet rresht kampione republikës në gjimnastikë. Mirëpo gjimnastika do palestër, do vegla që nuk prodhohen në Shqipëri, asnjëherë nuk janë prodhur, që t’i marrësh nga jashtë kushtojnë. Mua më vjen keq sepse në Shqipëri me sportin, shofin vetëm lojërat me dorë dhe futbollin, vojebolli basketbolli shumë pak atletik kështu që e mira është që disa sporte që janë individuale dhe kanë mundësi të bëhen, pse të mos bëhen” tha ajo.
Flora Tota nuk është njohur vetëm e para femër parashutiste shqiptare që theu tabutë, duke u renditur përkrah meshkujve me nismën e saj të “çmendur”. Ajo ishte edhe pedagoge e parë e Institutit të Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Por shprehet se pavarësisht titujve nuk ka ndjerë vlerësimin e duhur për aktin heroic të hedhjes me parashutë përvecse një diplome.
“Kur mbarova studimet në Institutin e Fiskulturës më mbajtën direkt pedagoge në atë institute në katedrën e gjimnastikës. Mbasi punova dy vjet aty më emëruan kryetare të federatës shqiptare të gjimnastikës dhe notit pranë ministrisë së arsimit. Ku punova 7 vjet. Edhe atje isha e para femër që punonte për sportin në një institucion shtetëror. Në fakt nga institucionet e sportit jam respektuar, nderuar kam marrë disa tituj sportiv si mjeshtre e merituar sporti. Nderi i sportit shqiptarë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës kurse për parashutizmin me gjtihë atë akt heroik që bëmë nuk kemi marr ndonjë satisfaksion përvec një diplome” përfundoi ajo. /shqiptarja/ KultPlus.com